Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla ka thënë se lufta e institucioneve kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj krimi tjetër do të vazhdojë, pandalshëm, pa asnjë kompromis, dhe të gjithë do të trajtohen të barabartë para ligjit pavarësisht funksionit që bartin.
Këtë deklaratë Sveçla e bëri të enjten, teksa ka përgëzuar Inspektoratin Policor (IPK) dhe Policinë e Kosovës për aksionin e mbrëmshëm në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar, i zhvilluar në disa komuna të Republikës së Kosovës.
“Nuk mund dhe nuk do të lejojmë assesi të keqpërdoret misioni për t’u shërbyer qytetarëve. Siç edhe jemi zotuar, po punojmë në vazhdimësi për ngritje të efikasitetit por edhe të integritetit brenda secilit institucion andaj aksioni i mbrëmshëm e dëshmon vullnetin dhe gatishmërinë për të jetësuar këtë. Mirëqenia dhe siguria e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë prioritet. Mbi këtë parim do të vazhdojmë të luftojmë secilën dukuri apo individ që minon sundimin e ligjit apo që cënon jetën e qytetarëve, rendin dhe sigurinë publike”, ka thënë ministri.
Ai ka shfrytëzuar rastin dhe ka ftuar e inkurajuar qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë në mënyrë që të ketë siguri se ligji sundon në çdo fushë dhe në secilin cep të Republikës së Kosovës./KosovaNews/







