Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës ku po shqyrtohet projekt-buxheti foli për ndarjen buxhetore në këtë sektor gjatë vitit 2024.
Ai tha se për vitin e ardhshëm janë ndarë rreth 90 milionë euro, ku buxheti ka një rritje të përgjithshme prej 45%.
Ndërkaq, mbi 16 milionë të destinuara për rritjen e kapacitetit prodhues për sektorin e qumështit dhe mishit, mbi 350,000 fidane për pyllëzime, gjysëm milioni për realizimin e kadastrit pyjor.
Po ashtu theksohet edhe ndërtimi i objektit të ri të përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.
Peci tutje tha se buxheti për vitin 2024 do të vazhdojë rritjen me një trend të njejtë linear në kategorinë e subvencioneve dhe granteve.
Mbi 41 milionë euro për Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve dhe rreth 25 milionë për Programin për Zhvillim Rural / Grante.
‘’Le të thuhet se buxheti për vitin 2021 ka qenë 61 milionë euro, ndërsa buxheti për vitin 2024 është 89.8 milionë euro me projekte ndërkombëtare dhe arrin shifrën prej 100 milionë euro. Kjo përfshinë plotësimin e të gjitha premtimeve qeveritare gjatë fushatës.
89,833,562 euro është vlera e përgjithshme e buxhetit për bujqësinë’’, përfundoi ai.


