Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci nuk ka pushuar as ditën e diel dhe ka dalë në terën, me ç‘rast ka vizituar bujqit nga Istogu.
Në fakt kësaj radhe ministri Peci ka vizituar në orët e paradites një bujk-fermer nga komuna e Istogut.
Në këtë rast, ministri Peci dha shembullin praktik të shkurtimit të kohës për fitimin e subvencioneve nga shteti, shkruan KosovaNews
“Edhe ditëve me shi, Istogu ka hijeshi! Për aplikim për subvencione, Gjonit në të kaluarën i nevojiteshin 30 ditë për ta kompletuar dokumentacionin e kërkuar ndërsa këtë vit atij iu deshën vetëm 2 orë”, ka thënë Peci.
Ai theksoi se po ashtu këtë vit, do të ketë 100% kontrolle në teren, me qëllim që përfituesit e vetëm të jenë fermerët meritorë dhe real.
“Gjon Musolli, veprimtarinë kryesore e ka blegtorinë. Ai mbarështon rreth 500 dele e qingja dhe 70 krerë lopë. Në ditë, nga kjo veprimtari ai merr nga 1100 deri në 1600 litra qumësht në ditë. Përveç se me blegtori ai punon edhe rreth 200 hektarë tokë nga të cilat 80ha me grurë, 85ha me misër ndërsa të tjerat me jonxhë. Takimi me Gjonin më la përshtypje pozitive pasi që ai është një nga fermerët më të vyeshëm jo vetëm të Istogut por edhe të Kosovës”, ka shkruar ministri Peci pas vizitës që bëri në teren.


