Ministri i Bujqësisë Faton Peci gjatë ditës së sotme ka dalë në teren dhe kësaj here ka vizituar komunën e Ferizajt, ku ka parë nga afër ecurinë e inspektimeve për kulturat bujqësore, bashkë me inspektorët e AZHB-së.
Në këtë rast Peci tha se janë duke u bërë 100 % kontrolle në teren për kulturat bujqësore dhe aplikuesit në Programin për Pagesa Direkte / Subvencione 2023.
“Në vitin rekord të të mbjellave që nga paslufta, vendosim dhe një rekord tjetër; atë të kontrollit në teren deri 100%! Sot, pashë nga afër ecurinë e inspektimeve, bashkë me inspektorët e AZHB-së në komunën e Ferizajt. Kemi dëshmuar se përmes qeverisjes sonë, cak kemi vetëm bujkun që ia bën mundin tokës së tij”, ka shkruar ministri Peci.
Ai tha se përmes punës, vazhdojnë çdo ditë me synimin e vetëm; për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
“E bëmë më të lehtë aplikimin për subvencione duke i thjeshtësuar në tërësi procedurat! Vendosëm meritokracinë, parim ky i cili është udhëzues i përditshëm në rrugën për avancim të sektorit. Rritëm përkrahjen për të gjitha kulturat bujqësore, blegtorale e pemëtare!”, tha ai.
Tutje ministri Peci tha se objektivat që i vendosën në fillim të mandatit, tashmë i kanë tejkaluar në gjysmë të tij, e kështu po hapin rrugë të reja drejt sigurimit të mirëqenies së fermerëve dhe duke qenë “Afër prodhuesve vendorë!”.




