Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar disa herë deri më tash që të votojnë dhe kalojnë disa nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe kreditë për projekte të mëdha për Kosovën.
Në fakt marrëveshjet ndërkombëtare të planifikuara për disa seanca me radhë janë shtyrë, për shkak të bojkotit nga partitë opozitare.
Kështu Kosova po rrezikon të humbas rreth 360 milionë euro, për shkak të këtij bojkoti dhe mos arritjes së një pajtueshmërie për votim.
E pak para nisjes së seancës së sotme, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati edhe një herë i ka ftuar deputetët e opozitës që nuk po marrin pjesë në votime, të ndryshojnë qëndrim dhe të votojnë për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.
Ai tha se të gjithë partnerët ndërkombëtarë e donatorët po presin votën e deputetëve dhe mandej të përcillen fondet për Kosovë.
“Njëra ndër arsyet se pse një pjesë e opozitës nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare është edhe pretendimi se “për shkak të masave të vendosura, edhe fondet e këtyre marrëveshjeve janë të bllokuara prandaj është e kotë të ratifikohen sepse mjetet nuk mund të shfrytëzohen”.
Kjo nuk qëndron.
Gjatë dy javëve të fundit kam pasur takime me pothuajse të gjithë partnerët e donatorët zhvillimorë, dhe njëra ndër çështjet e ngritura në këto takime ishte pikërisht edhe ky pretendim i opozitës.
Ajo çfarë mund të them është se në të gjitha këto takime më është konfirmuar nga partnerët ndërkombëtarë se marrëveshjet që tashmë janë të nënshkruara dhe presin për ratifikim, nuk kanë asnjë pengesë apo bllokim fondesh.
Prandaj edhe njëherë ftoj deputetët e opozitës që nuk po marrin pjesë në votime, të ndryshojnë qëndrim dhe të votojnë për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve”, ka thënë Murati.
Bojktoti dhe mos aprovimi i opozitës rrezikon diku rreth 360 milionë euro për Kosovën. Me veprimin e opozitë të bllokuara kanë mbetur: Zhvillimi i sektorit të energjisë – përmirësimi i rrjetit; Ndërtimi i ngrohtores solare të Prishtinë: Bursat e arsimit të lartë në nivelin master; Programi i financave publike dhe rritjes ekonomike me Fondin OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, si dhe marrëveshja 120 milionëshe që Kosova përfiton nga Danimarka për shfrytëzim të burgjeve, si dhe disa projekte tjera.
Më poshtë janë të renditura lista e projekteve të parapara të financohen përmes fondeve dhe kredive ndërkombëtare.
– Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
– Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
– Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
– Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
– Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.