Ministri i Financave, Hekuran Murati në prezantim të projektligjit për punë publike ka thënë se shumë kontrata kanë ngecur shkaku i luhatjes së çmimeve.
Ai ka thënë se me projektligj janë paraparë që të mbështeten operatorët ekonomik që kanë hyrë në kontrata për punë publike para datës 1 prill të këtij viti.
Afati para 1 prillit sipas tij, është caktuar pasi pas kësaj datë operatorët ekonomik duhet të paraqesin çmime reale që janë në treg.
Deputeti Ferat Shala, ka pyetur se sa është reale kjo shifër prej 20 për qind që Qeveria po u ofron bizneseve në raport me inflacionin.
“Cili është mekanizmi që do të bëjë kontrollin”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë ministri Murati ka thënë se 20 për qind është çmimi tavan dhe nëse kalojnë çmimet më shumë ai ka thënë se ato kontrata duhet të ritenderohet.
Murati ka thënë se do të ketë një auditim për të parë se si janë zhvilluar procedurat dhe a ka qenë në përputhje me ligjin.
Deputeti Pal Lekaj ka thënë se 20 për qind është pak por do të duhej të jetë 30 për qind. Ka pyetur se sa është paraparë shuma për këto kompensime.
Për kosto, Murati ka thënë se nuk mund të thuhet pasi ka të bëjë me veprime individuale të autoriteteve kontraktues dhe se ato e kanë përgjegjësi që të vlerësojnë kontratat dhe shumën e mbështetjes.