Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se deri më tani nga platforma ‘Superpuna’ janë punësuar 7 mijë e 786 të rinj të moshës nga 18 deri në 25 vjeç.
Ai ka thënë se për 8 muaj nga nisja e kësaj platforme janë 5 mijë e 832 biznese që deri më tani kanë përfituar nga skema e mbështetjes për punësimin e të rinjve.
“Superpuna në shifra, për 8 muaj operim: 7,786 të rinj përfitues të punësuar. Prej tyre: 3,914 vajza 3,872 djem. Në total janë 5,832 biznese që deri më tani kanë përfituar nga skema e mbështetjes për punësimin e të rinjve. Qeveria për Rininë! Qeveria për Ekonominë!”, ka shkruar ministri MUrati.
Kujtojmë se më 6 shkurt Qeveria e Kosovës e ka lansuar platforma për punësimin e të rinjve në Kosovë e quajtur “Superpuna”.
Sipas ministrit Murati, pilotimi i platformës është një mbështetje prej gjashtë muajsh për secilin të ri me pagë minimale prej 264 euro që sigurohet nga Qeveria e Kosovës.
Përveç kësaj shume prej 264 euro, të punësuarit mund të marrin e pagesën nga punëdhënësi.