Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar pas lajmeve që kanë shkruar mediat serbe lidhur me marshimin e sotëm të ushtarëve të FSK-së në Mitrovicë.
Mehaj tha se marshimi i sotëm i ushtarëve të FSK-së në Mitrovicë nuk ka të bëjë asgjë me situatën në veri të Kosovës dhe se marshime të tilla janë të rregullta e po ashtu ky ushtrim ka qenë në kuadër të planit vjetor dhe është realizuar sot.
“Sot regjimenti i tretë kanë realizuar marshimin kondicional i cili ka qenë i planifikuar për 215 ushtarë tanë. Marshimi në Mitrovicë ka filluar nga kazerma “Minatori” deri në fshatin Frashër dhe është bërë kthimin sërish në kazermë”.
“Marshime të tilla janë të rregullta, ky ushtrim gjithashtu ka qenë në kuadër të planit vjetor dhe është realizuar sot, prandaj bëjmë apel tek të gjithë që aktiviteteve të tilla mos t’iu jepet konotacion tjetër”.
“Marshimi nuk ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në veri të Republikës. Përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve tanë e ka Policia e Kosovës e cila është në krye të detyrës dhe është duke kryer me shumë sukses punën e saj. Ju lutem mos të bini iu besoni dezinformatave dhe lajmeve të rreme”, deklaroi Mehaj.


