Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se nga nënkoloneli Steve Forrest, këshilltar bilateral në Ministrinë e Mbrojtjes, është informuar për vendimin e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për të lejuar udhëtimin pa viza për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që zhvillojnë aktivitete ushtarake dhe zyrtare në territorin britanik.
Në një postim në Facebook, ministri Maqedonci ka theksuar se ky vendim është rezultat i thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve.
Ai gjithashtu ka theksuar angazhimin e Republikës së Kosovës në aktivitetet e mbrojtjes të udhëhequra nga Mbretëria e Bashkuar dhe rolin kyç të kësaj të fundit në fuqizimin e kapaciteteve të mbrojtjes në Kosovë.
“Ky vendim vjen si rezultat i thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e Republikës së Kosovës në aktivitetet e mbrojtjes që udhëhiqen nga Mbretëria e Bashkuar. Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka luajtur rol kyç në procesin e shtetndërtimit në përgjithësi dhe fuqizimin e kapaciteteve të mbrojtjes të vendit tonë në veçanti”, ka shkruar ai në Facaebook.
Ndër të tjera, ai ka thënë se vendimi është edhe një dëshmi për kredibilitetin që Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon te partnerët ndërkombëtarë.


