Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se tani nuk është koha për të njohur shtetin palestinez.
“Njohja e Palestinës do të ishte sinjali i gabuar në këtë moment”, theksoi Wadephul në një konferencë shtypi në Berlin së bashku me Ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar.
Franca po shqyrton njohjen e shtetit palestinez këtë muaj, transmeton Telegrafi.
Hamasi “duhet të lirojë pengjet dhe Hamasi duhet të lëshojë armët menjëherë dhe pa asnjë kusht”, tha Wadephul, duke shtuar se lufta në Gaza duhet të përfundojë.
“Izraeli ka të drejtë të mbrohet, siç do të bënte edhe çdo vend tjetër në botë”, theksoi ai.
Wadephul beson se “duhet të ketë një plan për të nesërmen” Hamasi në Gaza.
Duke iu referuar iniciativës së re të Fondit Humanitar të Gazës, Wadephul shpreh shqetësim për banorët e Gazës “të cilët nuk e dinë se ku do të marrin ushqim dhe ilaçe”.
Ai ankohet për distancat e gjata deri te vendet e shpërndarjes dhe faktin se disa civilë u vranë.
“Kjo ndodh shumë shpesh”, shtoi ai.
Wadephul thotë se “askush nuk mund të dyshojë se programi bërthamor iranian përbën një kërcënim jetësor për Izraelin. Ne ndajmë bindjen se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore.”
Ai gjithashtu kritikon thirrjet e ministrave izraelitë për aneksimin e Bregut Perëndimor dhe zgjerimin e vendbanimeve.
Në deklaratën e tij të përgatitur në anglisht, Sa’ar thotë se “Izraeli është serioz në vullnetin dhe qëllimin tonë për të arritur një marrëveshje. Një marrëveshje që do të çojë në një armëpushim”.
Ai u bën thirrje vendeve si Gjermania të ushtrojnë presion mbi Hamasin, në mënyrë që ai të bjerë dakord për një marrëveshje.
Presioni mbi Izraelin dhe kërcënimet me sanksione, argumenton Sa’ar, “do ta bëjnë Hamasin të ngurtësojë qëndrimin e tij”.
Sa’ar thotë se janë duke u zhvilluar dy përpjekje humanitare, kanali i OKB-së dhe “iniciativa” e re amerikane.