Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes prej 1 milion euro, për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Fushë-Kosovës.
Aliu tha se edhe ky premtim po bëhet realitet pas një angazhimi edhe të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Po bëjmë realitet një tjetër premtim për të cilin jemi angazhuar bashkë me Ministrin e MAPL-së, z. Elbert Krasniqi. Sapo nënshkruam marrëveshjen për financimin e projektit të rregullimit të rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Fushë Kosovës, për lagjen 028 dhe 029, Bardhin e Madh, si dhe fshatin Sllatinë e Madhe”, tha Aliu.
Sipas tij, projekti synon që të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore, në kuadër të përkrahjes së komunave.
“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të bëjë financimin e projektit dhe pagesat për vlerën e financimit do të bëhen në bazë të realizimit të punimeve sipas kushteve të kontratës. Vlera e projektit është 1.000.000,00 €, ku në vitin 2022 do të financohet shuma 300.000,00 € dhe në vitin 2023 është paraparë financimi i vlerës prej 700.000,00 €”, ka sqaruar ministri Aliu.


