Në Prishtinë po mbahet Forumi Ekonomik Vjetor, i cili në fokus ka ndërtimin e një modeli të ri për rritjen ekonomike, dinamikat e tregut të punës, e sfidat e tashme dhe të ardhshme në këtë fushe.
Me këtë rast, Elene Imnadze, zyrtare e lartë e operacioneve në Bankën Botërore, tha se Kosova ka pasur progres sa i përket zhvillimit ekonomik që nga shpallja e pavarësisë.
Megjithatë ajo u shpreh se vendi vazhdon të përballet me disa sfida si: Migrimi i qytetarëve; mungesa e punëtorëve; dhe numri i ulët i grave aktive në tregun e punës.
Njëjtë u shpreh edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani i cili prezantoi të dhënat e raportit “Një model i ri për rritjen e qëndrueshme ekonomike”.
“Për dy-tre mujorët e parë të këtij viti rritja ekonomike ka ngadalësim, ndërsa pritjet janë që nuk do të ketë ndonjë ndryshim substancial edhe për muajt e ardhshëm e vitin vijues. Kemi pasur mbështetje të tepruar në faktorët e jashtëm dhe lënie pas dore e politikave në fuqizim të ofertës vendore konkurruese në tregun e brendshëm dhe atë të eksporteve. Ndërsa, edhe pse buxheti ka shënuar rritje vit pas viti, problematike mbetet struktura e pavolitshme e buxhetit. Buxheti është në dëm të investimeve kapitale”, shtoi ai.
Tutje Hashani tha se bizneset po ashtu nuk janë të kënaqura me përpjekjet e institucioneve në funksion të përmirësimit të ambientit biznesor.
“Krahas problemeve që lidhen me migrimin janë edhe një varg të barrierave tjera si: Madhësia e tregut, ngarkesat dhe pengesat administrative, furnizimi me energji e inkasimi i borxheve. Pastaj punësimi në raport me popullsinë totale nuk ka shënuar ndonjë rritje të madhe. Problematike mbetet papunësia te të rinjtë dhe gratë. Po ashtu edhe papunësia në nivele të gjata kohore është shqetësuese. Por ka biznese që po përballen me mungesë të punëtorëve”, deklaroi ai.


