Presidenti i Shqipërisë në largim, Ilir Meta, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë, në një adresim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka thënë se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Meta fjalimin e tij e mbylli me një emocion, duke thënë se “nga Saranda e vogël që qante në Kukës e vetmuar që e kam takuar në prill të vitit 1999 tek një Sarandë që po e takoj në Kuvendin e Kosovës. Sa shumë Saranda, Vlora e Vjosa”.
Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria lidhen me njëra-tjetrën me gjithçka, duke filluar nga gjuha, tradita, interesat, identiteti, e të tjera.
Meta ka thënë se Shqipëria i “mbështet fuqimisht përpjekjet që edhe Kosova të jetë anëtare e NATO-s, dhe se Shqipëria ka hapësirë për ta forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria i ka mundësitë dhe duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Si vend anëtar i NATO-s, anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit, si vend që sapo nisi negociatat e anëtarësimit në BE, Shqipëria ka një hapësirë veprimi ende të pashfrytëzuar sa duhet në dobi të forcimi të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare”, theksoi ai.
“Gjithçka e lidh Shqipërinë me Kosovën , tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, tradita, interesat dhe perspektiva evropiane dhe euroatlantike. Kjo lidhje e pandashme Shqipëri-Kosovë i ka rrënjët te gjaku i derdhur dhe sakrificat sublime, të heronjve tanë më të lavdishëm. Forca ripërtëritëse e marrëdhënieve tona qëndron te njerëzit”.
Meta ka përkujtuar kohën kur e kishte vizituar Kosovën në dhjetor të vitit 2000, aso kohe si kryeministër i Shqipërisë, me ftesë të ish-kryeadministratorit, Bernard Kouchner, “pata theksuar se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për marrëdhënie si partnere dhe jo paternalizëm”.
“Sot duhet të jetë edhe më absurde të kemi marrëdhënie paternalizëm kur shteti i ri i Kosovës është shembull në shumë drejtime – jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Unë e kam mbajtur derën e hapur çdo qytetari të Kosovës dhe përfaqësuesi te saj pa dallim në mënyrë që marrëdhëniet tona të jenë vëllazërore dhe strategjike ne mënyrën me kuptimplotë. Gjithçka e lidh Kosovën me Shqipërinë. Gjaku, kultura zakonet, gjuha, interesat dhe interesat euro-atlantike. Kjo lidhja jonë i ka rrënjët tek etërit tonë, nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu tek Adem Jashari e Ismail Qemaili tek Ibrahim Rugova. Ata e kanë mbajtur gjallë këtë frymë”, tha Meta, transmeton Telegrafi.
Meta tha se Kosovës duhet t’i hiqen sa më parë vizat dhe se duhet të binden shtetet që nuk e kanë njohur ende, ta njohin atë. Shtoi se duhet të shtyhet përpara dialogu me Serbinë që të arrihet njohje
Presidenti shqiptar fjalimin e tij e mbylli me një emocion.
“Kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Nga Saranda e vogël që qante në Kukës e vetmuar që e kam takuar në prill të vitit 1999 tek një Sarandë që po e takoj në Kuvendin e Kosovës. Sa shumë Saranda, Vlora e Vjosa”, tha ai.