Është mbajtur mbledhja e Komisionit të posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese
Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, në mbledhjen e mbajtur sot, të kryesuar nga Adnan Rrustemi, i autorizuar nga kryetari i Kuvendit për kryesimin e komisionit, zgjodhi dy zëvendëskryesuesit e këtij komisioni: deputetin Driton Selmanaj nga radhët e opozitës, si dhe deputetin Enis Kervan radhët e komuniteteve.
Qëllimi i këtij takimi ishte fillimi me punë i komisionit, i cili ka për detyrë ushtrimin e përgjegjësive sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, për zhvillimin e procedurave lidhur me shqyrtimin e kandidatëve të mundshëm për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese.
“Komisioni mori vendim për publikimin e thirrjes/ftesës për paraqitjen e nominimeve për një gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Publikimi do të bëhet më 6 tetor 2023 dhe do të mbetet i hapur 20 ditë nga dita e publikimit”, njofton Kuvendi i Kosovës.


