Ka shkuar në 1 miliard e 11.9 milionë euro vlera e dërgesave nga mërgata deri në muajin tetor 2023, gjë që paraqet rritje prej 10.9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Kjo është bërë e ditur nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila publikoi statistikat e remitancave dhe institucioneve tjera financiare për muajin tetor 2023.
Sipas BQK-së, remitancat arritën vlerën e 1 miliard e 11.9 milionë euro, rritje kjo prej 10.9 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Kurse vlera e remitancave, sipas vlerësimeve, vetëm për muajin tetor 2023 ishin 110.5 milionë euro.
Sipas BQK-së, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga IFJB-të me pjesëmarrje prej 60.4%, kanalet tjera me 24.2% dhe bankat me 15.4%
Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, deri në muajin shtator vlera e tyre ishte 300.4 milionë euro.
Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.60 miliardë eurove.
Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit tetor 2023 janë rritur për 17.6 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 496.5 milionë eurove.



