Aktorja dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, është betuar sot për mandatin e saj të dytë si anëtare e Kuvendit të Kosovës.
Në një moment simbolik dhe emocional, ajo ka ndarë një fotografi në InstaStory nga nënshkrimi i dekretit për deputete, duke shprehur mirënjohjen e saj ndaj qytetarëve që i besuan sërish këtë përgjegjësi.
“Për angazhim, respekt, dashuri për vendin e popullin tim. Faleminderit prej zemrës. Përgjithmonë jua dua”, ka shkruar Matoshi në mbishkrimin e fotografisë.
E njohur për kontributin e saj në kinematografi dhe kulturë, Adriana Matoshi është angazhuar prej vitesh në politikë përmes subjektit të Lëvizjes Vetëvendosje, ku përfaqëson shpesh zërin e grave dhe të rinjve në Kuvend.

Kjo është legjislatura e saj e dytë, dhe rikthimi i saj në Kuvend vjen në një periudhë dinamike për politikën kosovare. Përkrahja e saj ndaj kauzave sociale dhe përkushtimi ndaj të drejtave të qytetarëve kanë qenë ndër elementet që e kanë karakterizuar qëndrimin e saj politik.
Betimi i Matoshit vjen në një kohë kur vendi po kalon një fazë sfiduese në përpjekjet për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve. Megjithatë, prania e saj në Kuvend pritet të sjellë energji të re dhe angazhim në debatin parlamentar.