Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar konferenca e 13-të për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Të akuzuarit Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, këtë konferencë po e ndjekin përmes video-lidhjes.
Gjatë kësaj konference, në urdhrin për caktim të saj, gjykatësi paraprak ka paraparë se do të diskutohet për zbulimin e provave, hetimet e mbrojtjes dhe hapat e tjerë të tyre, si dhe për propozimet për racionalizimin e çështjes.
Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).
E me të nisur konferenca, mbrojtja e ish- presidentit Hashim Thaçi pranë Dhomave të Specializuara, Gregory Keohe, ka shprehur pakënaqësitë e tyre, ndaj Prokurorisë Speciale, lidhur me vonesat e shumta në publikimin e materialeve në rastin e klientit të tij.
Keohe në seancën e sotme ka thënë se vigjilenca, është fjalë që nuk i përshtatet Prokurorisë në punën e saj.
Ai ka kërkuar që materialet sipas rregullës 103 të nxjerren menjëherë.
“Ndoshta prokurori s’është i njohur për procedurat e deritanishme. Ne kemi gjashtë muaj që flasim për materiale që duhet të nxirren. Vigjilenca është fjalë që nuk është etiketimi i duhur për të përshkruar prokurorinë në këtë aspekt. Materialet sipas rregullës 103 duhet të dorëzohen menjëherë, dhe kjo do të thotë tani. Fjala menjëherë, do të thotë tani. Kështu që të bësh tjerrje të kontrollimeve që duhet të nxjerren sipas rregullës 103 është e pavlerë. Kur ZPS-ja vendoset në një pozitë të vështirë, atëherë ata dorëzojnë materialin shfajësues. Kjo është çështje që është problem i prokurorisë”, tha Keohe.
Ndryshe, më 29 prill të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.