Pa kryer asnjë punë, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe asistentët e tyre po i kushtojnë buxhetit të shtetit qindra mijëra euro. Tashmë dyzet e tri përpjekje për të konstituar Kuvendin, kanë dështuar. Për disa deputetë të rinj, kjo situatë është shumë larg pritshmërive të tyre.
Nezir Krakit, bllokimi i konstituimit të Kuvendit po i vështirëson punën dhe angazhimin si ligjvënës.
Ai u zgjodh për herë të parë në zgjedhjet e 9 shkurtit si deputet i partisë Guxo – pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Alternativën, që fitoi shumicën e votave.
Mandatin e deputetit të Kuvendit të Kosovës thotë se e ka marrë për të kontribuar në jetën politike dhe parlamentare si ligjvënës, “e jo kot së koti”.
Kraki dhe deputetët tjerë të zgjedhur – 120 gjithsej – marrin paga sikur Kuvendi të ishte funksional.
Që nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, ata kanë përfituar dy paga e gjysmë, edhe pse shumica e 43 vazhdimeve kanë zgjatur vetëm disa minuta, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe mënyrën e votimit.
Deri tani, 103 deputetë kanë marrë dy paga e gjysmë, ndërsa 17 të tjerë, që kanë mandatin e deputetit, por vazhdojnë të mbajnë funksione në Qeverinë në detyrë të Kosovës, janë paguar nga ekzekutivi.
Kostoja totale për pagat e deputetëve, nga 15 prilli deri më 30 qershor, ka arritur në 478.692 euro.
Përveç pagave të tyre, buxheti i shtetit mbulon edhe pagat e zyrtarëve të lartë personalë të deputetëve, që ndryshe njihen si asistentë.
“A e keni pritur ju, për shembull, që konstituimi i Kuvendit do të zgjasë gjashtë muaj?”
Radio Evropa e Lirë pyeti në Kuvendin e Kosovës se sa asistentë janë të angazhuar aktualisht dhe çfarë vlere kapin pagat e tyre, por që nuk nga fundi i javës së kaluar, nuk mori përgjigje.
Në qershor, mediat në Kosovë raportuan se deputetët e zgjedhur kanë angazhuar deri në atë kohë 74 asistentë personalë.
Njëra prej tyre, deputetja Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky angazhim është bërë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.
Sipas saj, asistentët janë emëruar me pritjen se Kuvendi do të konstituohej shpejt dhe se do të nisnin menjëherë punën e tyre parlamentare.
“A e keni pritur ju, për shembull, që konstituimi i Kuvendit do të zgjasë gjashtë muaj? Askush nuk e ka pritur. Duke menduar që si parti më e madhe, (Lëvizja vetëvendosje) do ta konstituojë Kuvendin shumë shpejt, ne i jemi përmbajtur rregullores së Kuvendit. Tash ne nuk mund t’u themi (asistentëve) të shkojnë në shtëpi se nuk është konstituuar Kuvendi. Nuk mund të bëjmë as shkelje të rregullores dhe as të ligjit”, thotë Kadrijaj.
E pyetur se cili është roli i asistentit të saj në këtë situatë, Kadrijaj përgjigjet:
“Nëpër debate në televizione më nevojiten për shembull: statistika, data, materiale për aferat korruptive… më ndihmojnë. U them: më duhet kjo ose kjo, dhe më ndihmojnë”.
Kadrijaj thotë se nuk e di se sa është paga e asistentit të saj.
Por, sipas Rregullores për shtesa mbi pagën bazë për deputetë dhe për klasifikimin e pagës për stafin mbështetës politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, asistenti i deputetit ka pagë bazë me koeficient 5.8 dhe përfiton shtesë prej 30 % të kësaj page.
Kjo i bie që një asistent, në qershor për shembull, ka marrë pagë bazë prej 638 eurosh, ndërsa me shtesat e parashikuara në rregullore, kjo shumë ka shkuar në rreth 900 euro.