Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka shpallur konkurs për 26 pozita të reja pune, duke ofruar mundësi të reja për zhvillimin profesional të individëve të interesuar.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Arbërie Nagavci përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në mesin e pozitave të hapura janë role të rëndësishme, si zyrtar për arsimin e komuniteteve, zyrtar i lartë për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, zyrtar i lartë për administrimin e platformave digjitale, zyrtar i lartë për mobilitet akademik, udhëheqës i Divizionit për Hartimin dhe Harmonizimin e Legjislacionit, udhëheqës i Divizionit për Burime Njerëzore, udhëheqës i Divizionit për Teknologji Informative, Administrimin e Dokumenteve dhe Shërbimeve, drejtor i Departamentit Ligjor, udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Planifikim, dhe drejtor i Departamentit për Buxhet dhe Financa.
Ministrja Nagavci ka njoftuar se në pritje të shpalljes janë edhe 13 pozita të tjera. Ajo ka inkurajuar të gjithë të interesuarit që i plotësojnë kriteret të aplikojnë për këto pozita.
“Kam kënaqësinë të ju informoj se kemi shpallur konkurs për 26 pozita të reja që janë një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin tuaj profesional! I inkurajoj të gjithë të interesuarit, të cilët i plotësojnë kriteret që të aplikojnë! Suksese!” ka shkruar ministrja Nagavci në postimin e saj.
Ky konkurs vjen si një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të MASHTI-t dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në sektorin e arsimit.