“Kemi pranuar me shqetësim reagimin e pabazë, paragjykues dhe të nxituar të ngritur nga Iniciativa CorrWatch dhe organizatat e përfshira, rrjedhimisht duam të sqarojmë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka vepruar në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në reagim.
Në këtë drejtim, Ligji Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, neni 26, paragrafi 4, thekson se “tekstet shkollore ofrohen falas”, dhe pikërisht kjo mundësohet përmes subvencionimit direkt tek prindërit. Subvencionimi u bëhet direkt përfituesve fundor, rrjedhimisht nuk ka asnjë subjekt të ndërmjetëm që do mund të përfitonte kundërligjshëm nga një procedurë e tillë.
Referimi i bërë në paragrafin 1 të këtij neni, që “ministria miraton tekstet shkollore dhe mjetet e materialet e tjera mësimore sipas rregullave të prokurimit,” është totalisht i gabuar, sepse ekziston një ligj i veçantë për tekste që tregon procedurën e miratimit. Rrjedhimisht, procedura e miratimit të teksteve nuk ka ndryshim përmes vendimit për subvencionim. Subvencionimi direkt për prindërit për të financuar blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre është një mandat i bazuar në ligj, krejt i natyrshëm e plotësisht legjitim, praktikë që zbatohet në shumë fusha e në vende të ndryshme.
“Rikujtojmë që MASHTI ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të garantuar që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente ku ruhet buxheti dhe sigurohet për secilin fëmijë të realizohet pajisja me tekste dhe materiale shkollore përmes subvencionimit.
Për të gjitha pretendimet e pabaza dhe të cilat shtrembërojnë realitetin, ne do t’u drejtojmë një shkresë zyrtare organizatave anëtare të rrjetit dhe do të adresojmë shqetësimin tonë edhe me donatorët mbështetës për një reagim të tillë, për të dytën herë rradhazi, i cili nuk ka bazë faktike, nuk prezenton saktë gjendjen, bazohet në paragjykime dhe ka qasje tendencioze”, deklarojnë në reagimin e Ministrisë .


