Fondacioni i Mileniumit të Kosovës, së bashku me Ndërmarrjen Publike Banesore dhe banorët, kanë nënshkruar marrëveshje për rinovimin e pesë rrokaqiejve në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë. Ky projekt përfshin rinovimin e fasadës, ashensorëve dhe shkallëve. Shuma e këtij investimi është rreth 2 milionë euro dhe ku pjesën më të madhe e financon Fondacioni i Mileniumit të Kosovës.
Rrokaqiejt e Ulpianës janë ndër ndërtesat e para të planifikimit urban në kryeqytet.
Edhe pse kanë afër 70 vjet që janë ndërtuar, ende mbeten ikonë e Prishtinës, por pamja e jashtme çdo ditë e më shumë po dëmtohet.
Ajet Berisha është banor i rrokaqiellit numër 1, ai thotë se pas një viti premtimi Ndërmarrja Publike Banesore ka filluar tash renovimin e fasadave.
“Gjendja e tyre e jashtme është shumë e keqe, sidomos ky soliteri me nr 3 është katastrofik, asnjëherë nuk ka investuar askush. Kanë qenë disa herë i kanë bërë matjet, kanë premtuar, janë diskutuar me neve por asgjë nuk ndodhi, se ku është problemi nuk e di, por premtimi i tyre nuk u realizua”, tha Ajet Berisha banor i soliterit me nr. 1 në Ulpianë.
Për këtë projekt është nënshkruar marrëveshje trepalëshe në mes të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, Ndërmarrjes Publike të Kosovës dhe banorëve të lagjes.
Ky projekt përfshin rregullimin e brendshëm të objekteve, shkallët dhe ashensorët.
“Fondacioni i Mileniumit të Kosovës bashkë me Agjensionin Federal Amerikan dhe ka hyrë në bashkëfinancim me komunën dhe ne e mbulojmë një pjesë më të madhe të shumës”, tha Petrit Selimi përfaqësues i MCC –së.
“Në saje të projektit tonë tashmë e kemi bërë publike që i kemi tejkaluar 555 hyrje në Prishtinë, pra objektivi jonë veç po vazhdon dhe pjesë e këtij projekti do të jetë edhe investimi i brendshëm që më pas do të mirëmbahet nga ndërmarrja jonë”, tha Hoxhaj – kryeshef i Ndërmarrjes Publike Banesore.
Ndryshe, vlera e këtij projekti është 2.6 milionë euro dhe do të jetë bashkëfinancim edhe me banorët e këtyre objekteve dhe pritet të jetë i gatshëm në vjeshtë./rtk/