Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka përkujtuar masakrën e Reçakut, duke theksuar se 15 janari i vitit 1999 mbetet një nga ditët më të rënda në historinë e Kosovës.
Në një postim përkujtimor, Maqedonci ka kujtuar ekzekutimin mizor të 45 civilëve të pafajshëm nga forcat serbe, duke theksuar se kjo masakër tronditi ndërgjegjen e botës dhe mbetet dëshmi e krimeve dhe gjenocidit të ushtruar ndaj popullit të Kosovës.
Ai ka vlerësuar se Reçaku është “plagë e hapur e kujtesës sonë kolektive dhe themel i së vërtetës historike”, duke shtuar se mohimi i krimeve përbën padrejtësi ndaj viktimave dhe dhimbje të re për familjarët e tyre.
“Kujtesa dhe kërkesa për drejtësi janë obligim moral dhe institucional. Reçaku nuk harrohet. Drejtësia duhet të vendoset”, ka theksuar Maqedonci.
Masakra e Reçakut, e ndodhur më 15 janar 1999, konsiderohet një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe mbetet simbol i vuajtjeve dhe sakrificës së civilëve shqiptarë.


