Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar ndaj një fushate që, sipas tij, ka për synim largimin e vëmendjes nga ushtrimi ndërkombëtar “Defender Europe 25”, një nga ngjarjet më të mëdha ushtarake që po zhvillohet në Kosovë, transmeton KosovaNews.
Ai thekson se një pjesë e shkurtër – pak më shumë se një minutë – nga një intervistë 30-minutëshe për A2 CNN është nxjerrë jashtë kontekstit dhe është paraqitur si lajm i ditës, me qëllim propagandistik.
“Një pjesë e vogël e intervistës time u tentua të paraqitet si propagandë dhe të largojë vëmendjen nga thelbi i intervistës – stërvitja ndërkombëtare ushtarake që po zhvillohet në Kosovë,” deklaron Maqedonci.
Sipas tij, qëndrimet e tij për pozicionimin e ushtrisë serbe janë të njëjta prej dy vitesh dhe të bazuara në fakte të verifikueshme.
“Propagandë do të ishte sikur të thosha që Serbia ka një qasje paqësore ndaj Kosovës. Por realiteti është se rreth 70% e kapaciteteve ushtarake serbe janë përqendruar në jug të Serbisë, afër kufirit me Kosovën,” thekson ai.
Maqedonci renditi vendosjen e tri brigadave kryesore të ushtrisë serbe: Brigada e 2-të në Rashkë, Brigada e 3-të në Nish dhe Brigada e 4-t në Vranjë. Ai tha se këto njësi ushtarake kanë 28 baza të përparme operacionale përgjatë kufirit me Kosovën, në distanca që variojnë nga 300 metra deri në 5 kilometra. Përveç tyre, janë të vendosura edhe 20 baza të xhandarmërisë serbe me personel dhe pajisje luftarake.
“Janë fakte që mund të vërtetohen me një kërkim të thjeshtë. Lajmi për vendosjen e ushtrisë serbe nuk është i ri. Intervista ime kishte në fokus ushtrimin ‘Defender Europe 25’, jo këtë çështje që dihet prej vitesh,” shtoi ministri.
Ai përfundoi duke theksuar se Kosova ka vepruar me maturi dhe vendosmëri për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, ndërsa militarizimi i Serbisë nuk i kontribuon sigurisë rajonale.
(Foto: Harta e vendosjeve ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën, publikuar nga institucionet e sigurisë në vitin 2023)

Në tentativë për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga një ndër ngjarjet më të mëdha që po zhvillohet në Kosovë, atë të…
Posted by Ejup Maqedonci on Wednesday, May 28, 2025