Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një thirrje mobilizuese për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 9 nëntor, duke ftuar qytetarët të votojnë kandidatët e saj në 12 komuna të vendit.
Në një postim në rrjete sociale, subjekti politik i drejtuar nga Albin Kurti ka theksuar se garon me kandidatë që përfaqësojnë “punën, ndershmërinë dhe vizionin për zhvillim”.
“Bashkë për fitore më 9 nëntor!
Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Pejë, Gjakovë, Vushtrri, Rahovec, Fushë Kosovë, Obiliq, Kaçanik, Viti — Bashkë fitojmë!
Në 12 komuna, me 12 kandidatë që përfaqësojnë punën, ndershmërinë dhe vizionin për zhvillim.
Për një komunë më të drejtë, më të ndershme e më të mirë për të gjithë.
Më 9 nëntor dalim të gjithë bashkë, sepse bashkë është forca jonë.
Bashkë, numri është 105!”, thuhet në postimin e LVV-së.
Ky apel vjen në kuadër të fushatës elektorale që tashmë ka hyrë në fazën e saj përfundimtare, me partinë në pushtet që synon të forcojë pozitat në pushtetin lokal në disa nga komunat më të mëdha të Kosovës.


