Policia e Kosovës ka organizuar konferencë për media në lidhje me zhvillimet në veri të vendit, ku po prezantohen arsenali i armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit
Në mesin e mjeteve të konfiskuara janë edhe vetura me mbishkrimin “KFOR”, e të tjera pa targa.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kanë informacione se 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit.
Ai ka kërkuar nga Serbia që t’i dorëzojë ata dhe cilindo pjesëtar që ka arritur të ikë në Serbi.
“Sipas informatave të deritanishme, 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit dhe kërkojmë nga Serbia që ata t’i dorëzojnë menjëherë te autoritetet e Kosovës, që t’i përgjigjen drejtësisë për aktet terroriste. Poashtu për çfarëdo pjesëtari I këtij grupi që ka arritur të ikë në Serbi, kërkojmë nga Serbia që ta dorëzojë”, tha Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ata nuk ishin civilë, por njësi speciale, të mbështetura nga Serbia. Ata përveç aftësive dhe armatimit, kanë pasur edhe mjetë të rënda.
Por, siç tha ai falë profesionalizmit të Policisë së Kosovës, plani i tyre ka dështuar.
“Në shkëmbimin e zjarreve kanë mbetur së paku 3 të vrarë, të gjithë me uniforma, ndërsa janë arrestuar dy të tjerë të uniformuar dhe katër të tjerë. Asnjë person civil nuk është lënduar nga ky aksion. Sipas informatave, gjashtë terroristë po trajtohen në Novi Pazar dhe kërkojmë nga Serbia t’i dorëzojë.
Çfarëdo pjesëtari që ka arritur të ikë në Serbi, kërkojmë nga Serbia ta dorëzojë. Në objektet brenda janë gjetur harta dhe plane për organizimin e gjatë dhe të mirë menduar.
Ato janë dëshmi që nuk kemi të bëjë me organizime lokale. Edhe nga ekspertë është vërtetuar se për këto organizime duhen së paku disa muaj. Nuk ka të bëjë më organizim të shpejt.
Kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit Radioçiq, që dëshmojnë pjesëmarrjen e tij në këtë aksion.”, tha mes tjerash Sveçla.