Për herë të parë që nga paslufta, Policia e Kosovës nisi dje patrullimet në Liqenin e Ujmanit dhe gjithë vijën kufitare me Serbinë. Kjo nuk po i pëlqen Listës Serbe, e cila ka deklaruar të premten se përpjekja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, nuk do të mund ta frikësojnë popullin serb përmes udhëtimeve në liqenin e Ujmanit në veri.
Përmes një komunikate për media, kjo listë ka ftuar varësit e Kurtit që të mendojnë mirë para se t’i mbështesin aktivitetet policore atje, të cilat i ka quajtur të paligjshme.
“Përpjekja e Albin Kurtit dhe ndihmësit të tij Xhelal Sveçla për të frikësuar popullin serb dhe për të pushtuar komunat tona me ndërtimin e paligjshëm të bazave për njësitë e tyre speciale, një udhëtim njëditor në liqen dhe sekuestrimin e pronave serbe në veri të Kosovës nuk do të kalojë. Edhe qindra forcat tuaja speciale nuk do të kenë sukses të trembin popullin serb. Ne do t’i mbrojmë pragjet tona dhe familjet tona. Të shumtë ishin ata që u përpoqën ta skllavëronin dhe ta pushtonin popullin serb dhe të gjithë e dimë se si shkoi. Prandaj ftojmë mentorët e Albin Kurtit që të mendojnë mirë para se të ofrojnë mbështetje për këto aktivitete të paligjshme. Populli serb dëshiron paqen, por edhe lirinë dhe nuk do ta lejojë veten të bëhet skllevër në komunat e tij, në vatrat e tij shekullore”, thuhet në komunikatë.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës po kërcënon paqen në veri derisa ka shtuar se Kosova nuk do të dominojë asnjëherë atje.
“Mbani parasysh se ju jeni këtu në tokën tonë, se askush nuk ju ka thirrur, se duke rrëmbyer tokën serbe dhe duke keqtrajtuar popullin tonë, ju kërcënoni drejtpërdrejt paqen në këtë zonë dhe se kurrë nuk do të dominoni veriun e Kosovës”, përfundon komunikata.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar të enjten në Faebook se Policia e Kosovës ka nisur me patrullimin e hapësirës së liqenit të Ujmanit.
Ai ka thënë se ky patrullim po bëhet për herë të parë që nga paslufta.
“Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”, ka shkruar Sveçla.
Në 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës Kryeministri Albin Kurti ka vizituar komunat veriore të Republikës së Kosovës.
Nën masa të rrepta sigurie, Kurti bashkë me Ministrin Sveçla vendosen lule në vendin e rënjes në fshatin Zupç të Zubin Potokut të policit Enver Zymberi i cili u vra në krye të detyrës nga strukturat paralele serbe në vitin 2011.
Kryeministri gjithashtu vizitoi edhe bazat e njesive speciale të Policisë së Kosovës në veri, në Jasenovik të Zubin Potokut e cila u ndërtua për më pak se dy javë në afërsi të liqenit të Ujmanit.
Në profilin zyrtar në facebook kryeministri ka shpërndarë edhe një video duke pasqyruar viziten e tij.


