Janë liruar nga paraburgimi Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dy të dyshuar për vrasjen në kafiterinë “Bon Vivant” në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Me kërkesë të Prokurorisë, janë liruar nga masa e paraburgimit dy të dyshuarit, pasi kanë pushuar kushtet për caktimin e kësaj mase”, konfirmoi Gashi.
Nga të shtënat e 4 gushtit në “Bon Vivant”, një 39-vjeçar humbi jetën gjersa 17 të tjerë pësuan lëndime.
Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë doli me detaje të tjera rreth incidentit.
Sipas prokurorisë, nga të shtënat me armë zjarri janë plagosur shtatë persona, njëri prej të cilëve ka vdekur në QKUK. Ndërsa, 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime nga gërvishjet e xhamave appo gjësendve tjera.
“Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur. Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftim.
Tutje, nga Prokuroria kanë theksuar se të gjithë të dyshuarit në këtë rast kanë të kaluar kriminale.
“Prokurori, rastin në fjalë e ka cilësuar ‘Vrasje të rëndë’ neni 173, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ neni 366 dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’ neni 187 i Kodit Penal të Kosovës. Ajo që është më rëndësi të ceket se një person gjendet në arrati, ndërsa është konstatuar se gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale”, thuhet më tej në njoftim.
Ndryshe, i dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj. I njëjti gjendet ende në arrati.
I njohur me pseudonimin “Duka”, Dukagjin Nikollaj kërkohet edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh.
Bazuar në fletëkërkimin e FBI-së, bëhet e ditur se 40-vjeçari ishte i përfshirë në trafikim të marihuanës në periudhën e viteve 2003-2007.
Siç kishte njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale.
Lidhur me këtë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte kritikuar sistemin e drejtësisë duke deklaruar se i njëjti ka dështuar.