Bashkimi Evropian duhet të fokusohet në ndalimin e migracioni ilegal, në vend që të mundohet të bindë 27 vendet anëtare që ta ndajnë përgjegjësitë për njerëzit që hyjnë pa autorizim në vend, deklaruan të mërkurën liderët e Italisë dhe Polonisë, raporton agjencia “AP”.
Udhëheqësja e krahut të djathtë të Italisë, kryeministrja, Georgia Meloni, udhëtoi për në Varshavë për një takim me homologun e saj konservator, kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki.
Pas bisedimeve me kryeministrin polak, kryeministrja Meloni tha se ajo mendon se blloku nuk do të jetë në gjendje të “gjejë një zgjidhje reale” për situatën kur emigrantët veçse do të arrijnë të hyjnë në Evropë.
“Unë besoj se qëndrimi ynë është në thelb i njëjtë. Ne duam të ndalojmë emigracionin e paligjshëm”, tha Meloni
Ndërkohë kryeminstri Morawiecki tha se për qeverinë e tij është “fundamentale” që të “izolohen” kufijtë e jashtëm të BE-së dhe gjithashtu kundërshtoi një dispozitë në marrëveshjen e qershorit mes shteteve anëtare të BE-së, që kërkon gjobitjen e vendeve që refuzojnë të strehojnë azilkërkuesit me 20 mijë euro për person.
Polonia ka pranuar miliona refugjatë lufte nga Ukraina, rreth 1.2 milionë prej të cilëve janë regjistruar dhe kanë marrë të drejtën për të jetuar, punuar, vijuar shkollimin dhe për të pranuar përfitime sociale.


