Mungesa e ish- drejtorit të Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinë (AUV), Shaban Gollpeni dhe mbrojtësit të tij, avokatit Alban Makolli ka bërë që të dështojë shqyrtimi fillestar i paraparë për të mërkurën, në rastin ku Gollpeni po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi ka bërë të ditur se avokati i tij, Makolli përmes një parashtrese ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij, nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë për shkak se ndodhet jashtë vendit.
Ndërkaq, lidhur me mungesën e avokatit Makolli, gjykatësi Kuçi ka thënë se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.
Meqenëse nuk kishte kushte për mbajtjen e gjykimit, seanca e radhës është caktuar për 10 shkurt 2023.
Gjykatësi Kuçi ka deklaruar se për të akuzuarin Gollpeni nga Policia e Kosovës do të kërkohet verifikimi i vendodhjes së tij.
Ndryshe, ky rast pritet të arrij parashkrimin absolut të ndjekjes penale në dhjetor të këtij viti, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Shaban Gollpeni po akuzohet se më datë 9 dhjetor 2013, në cilësinë e personit zyrtar- Drejtor i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.
Siç thuhet në aktin akuzues, i pandehuri me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie pasurore për vete ose personin tjetër, si për organizatën e biznesit NTP “Malësia” nga Gjilani, të cilës i ka lejuar importimin e gjedhëve të gjalla të gjinisë femërore nga Serbia, duke vepruar kështu në kundërshtim me nenin 2 pika 1 të vendimit Ref.ZM/46/08 të datës 9 prill 2008, të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sipas të cilit në territorin e Kosovës mund të importohen nga Serbia vetëm kafshë të gjalla të llojit gjedhit (meshkuj) të cilët janë nën moshën 30 muaj.
Me këtë ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila vepër është e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.


