Kryeministri i ri i Francës, Sebastien Lecornu, dhe qeveria e tij dhanë dorëheqjen të hënën, vetëm disa orë pasi Lecornu shpalli përbërjen e kabinetit të tij, duke e bërë atë më të shkurtër në historinë moderne franceze, gjë që shkaktoi rënie të fortë të aksioneve dhe euros.
“Kushtet nuk u plotësuan që unë të vazhdoja si kryeministër”, tha Lecornu, duke kritikuar mungesën e gatishmërisë nga partitë politike për të arritur kompromiset.
Partitë në Asamblenë Kombëtare kanë kritikuar ashpër përbërjen e kabinetit të Lecornut, e cila ishte kryesisht e pandryshuar nga ajo e Bayrou, dhe kërcënuan se do ta rrëzonin atë me votë.
Dorëheqja erdhi më pak se 24 orë pasi u prezantua faza e parë e qeverisë së re, e cila përfshinte kryesisht ish-ministra dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Presidentit Macron.
Para dorëheqjes, ai zhvilloi një takim më shumë se një orësh me presidentin francez Emmanuel Macron, ndërkaq Pallati Elysee njoftoi për vendimin.
Lecornu u emërua kryeministër i Francës më 9 shtator dhe me dorëheqjen e tij, ai u bë kryeministri me mandatin më të shkurtër në historinë e vendit, me 27 ditë në atë pozicion.
Franca aktualisht po përballet me një krizë të theksuar politike, ku partitë në parlament kanë kritikuar kabinetin e Lecornut, duke thënë se nuk ka pasur ndryshime nga kabineti i kryeministrit paraprak, François Bayrou.
Në fakt, kjo krizë politike daton nga korriku i vitit 2024, kur zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk prodhuan një shumicë të qartë fituese.
Lecornu ishte kryeministri i pestë i Francës në më pak se dy vjet.


