Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur një takim konsultativ me liderët e partive politike më 15 maj, në orën 13:00, me synim tejkalimin e ngërçit institucional pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ftesës së presidentes tashmë i janë përgjigjur pozitivisht tri parti opozitare. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka konfirmuar pjesëmarrjen përmes zëdhënësit Besian Mustafa, i cili tha se në takim do të marrë pjesë kryetari Lumir Abdixhiku. Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka konfirmuar pjesëmarrjen, duke bërë të ditur se kryetari Memli Krasniqi do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pjesëmarrjen e ka konfirmuar zëdhënësi Kushtrim Xhemaili.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. Deputetja dhe ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, deklaroi më 11 maj se do ta shqyrtojnë përmbajtjen e ftesës përpara se të vendosin nëse do të marrin pjesë në takim.
Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar pas disa tentativave të pasuksesshme për zgjedhjen e kryetarit të tij. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kishte propozuar votim të fshehtë, por as kjo procedurë nuk ka siguruar konsensusin e nevojshëm. Ndërkohë, AAK ka paraqitur çështjen e votimit të fshehtë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
Takimi i thirrur nga presidentja Osmani shihet si një përpjekje e rëndësishme për të gjetur zgjidhje dhe për të mundësuar funksionalizimin e legjislaturës së re.