Votimet e sotme në sallën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e shumicës miratuan dy ligje jetike për organizimin shoqëror, kanë nxitur një debat të ashpër politik dhe juridik.
Ligjet në fjalë, ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe ai për Komisionin e Pavarur të Mediave, janë kritikuar për tendencën e kapjes antikushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës.
Sipas një komunikate për media nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), këto veprime përbëjnë një vazhdimësi të përpjekjeve populliste të kryeministrit Albin Kurti për të hartuar ligje që, sipas tyre, dëmtojnë ekuilibrin demokratik dhe ndarjen e pushteteve në vend.
LDK thekson se kjo praktikë është tashmë e konfirmuar si kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.
Për më tepër, LDK vuri në dukje se të dy ligjet janë në mospërputhje me direktivat e Bashkimit Evropian, gjë që përbën një shmangie nga orientimi euro-atlantik i Kosovës.
Sipas partisë, kjo është një praktikë e zakonshme e qeverisjes populliste që ndjek logjikën e të majtës ekstreme.
“LDK-ja as nuk pranon e as nuk toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave. Demokracia si vlerë dhe si praktikë, për ekstremistët e majtë mund të jetë e rëndë, por për Republikën e Kosovës është e shenjtë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, LDK ka nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen se, sikurse në dhjetë raste të mëparshme kundërkushtetuese, edhe dy ligjet e miratuara sot do të rrëzohen.
“Fatkeqësisht për vendin, humbja e kohës për të pasur një reformë të denjë dhe thelbësore në drejtësi mbetet e parikuperuar. Ky pushtet po i përfundon të katër vitet e qeverisjes në përpjekje antikushtetuese të kapjes së institucioneve, pa ndonjë rezultat konkret dhe pa ndonjë zhvillim thelbësor në asnjë fushë,” përfundon komunikata e LDK-së.


