Kryesia e Degës së LDK-së në Gjilan ka vendosur njëzëri që Arbër Ismajli të jetë kandidati për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Vendimi u bë publik gjatë një konference për media, ku kryetari i degës, Lutfi Haziri, deklaroi se tashmë është përmbyllur debati i brendshëm disa mujor për zgjedhjet lokale.
“Me këtë angazhim të përbashkët, kemi arritur në një pikë ku me krenari shpallim konsensusin e gjerë dhe frymën politike që e ka karakterizuar gjithmonë shtëpinë tonë politike. Besojmë plotësisht se Arbër Ismajli ka përgatitjen, përvojën, kredibilitetin dhe gatishmërinë për të fituar besimin e çdo familjeje dhe qytetari të Gjilanit,” tha Haziri.
Ai shtoi se nga sot, Arbër Ismajli do të bartë përkrahjen dhe dashurinë e qytetarëve në një mision për t’i rikthyer Gjilanit rolin, peshën dhe zhvillimin që meriton.
Sipas tij, Gjilani aktualisht ndodhet në një gjendje të rënduar politike dhe administrative, duke përjetuar jo vetëm degradim, por edhe krim urban për shkak të mungesës së angazhimit institucional.
“Qyteti ynë është shndërruar në një kaos administrativ dhe politik, duke humbur rolin e tij si qendër kryesore arsimore, politike dhe ekonomike në juglindje të Kosovës,” përfundoi Haziri.