Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, të japë dorëheqje, pasi mosblerjes së librave shkollorë.
Anëtarja e Kryesisë së kësaj partie, Jehona Lushaku, deklaroi se Ministria e dorëzuar ka treguar paaftësi pasi Qeveria ka vendosur që përgjegjësinë e blerjes së librave t’ua bartë prindërve.
Lushaku shtoi para mediave të martën se varianti i Nagavcit që paratë për blerjen e librave të jepen direkt te prindërit do të jetë më i kushtueshëm, pasi siç tha ajo, kjo do të dëshmohet nga blerja me pakicë.
“Paaftësia e qeverisë për ta menaxhuar buxhetin dhe për tmi kryer obligimet ligjore. Varianti i ministrisë do të jetë shumë më i kushtueshëm, nga kjo do të dëshmohet se blerja me pakicë do të jetë më e shtrenjtë…Këtu s’po llogarisim edhe angazhimin e prindërve për t’i blerë. Të gjitha këto nuk janë llogaritur. Çmimi i librave do të jetë minimalisht 20 për qind më i shtrenjte. Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci për shkak të keqmenaxhimit, shkeljeve sistematike të ligjeve në fuqi dhe anarkisë së krijuar në sistemin e arsimit. Kosova nuk meriton një ministre që ka dështuar të menaxhojë çdo nivel të arsimit. Një ministre dhe një Qeveri e tillë është e dëmshme për Kosovën prandaj ikja e saj do të duhej të bëhej menjëherë”, u shpreh Lushaku.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) dje bëri të ditur se po e shqyrton mundësinë t’ua transferojë paratë prindërve në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.
Duke folur në një konferencë për media më 21 gusht në Prishtinë, ministrja Arbërie Nagavci tha se deri te kjo mënyrë e dhënies së parave direkt për prindërit ka ardhur pasi furnizimi i nxënësve me tekste shkollore nga MASHT-i ka qenë “mjaft sfidues” në vitet e mëparshme, për shkak se “ky proces ka qenë jo gjithmonë i drejtë dhe cilësor”.


