Është hequr guri përkujtimor ndaj Pashkë Markut, një grua e cila e kishte djegur veten pas kthimit dhe varrimit të eshtrave të bijve të saj të vrarë dhe të djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për këtë ka reaguar shkrimtari dhe profesori universitar, Ag Apolloni, i cili edhe kishte shkruar librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” për Markun dhe Ferdonije Qerkezin.
Siç pretendon Apolloni, guri është larguar nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala në Korenicë të Gjakovës. Ndër të tjera ka kërkuar rikthimin e gurit nga Qeveria dhe qytetarët.
“Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritët një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike, se s’i paska pëlqye që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri”, ka shkruar Apolloni.
Tutje Apolloni ka thënë se guri i hequr ka qenë simbol i tragjedisë kombëtare dhe s’ka qenë as simbol fetar e as politik.
“Ai simbolizon vuajtjen e një nëne shqiptare dhe, njëkohësisht, vuajtjen e një populli, pjesë e të cilit është edhe Hasani që bëri një gjest fisnik kur e lejoi vendosjen e gurit në arën e tij, dhe një gjest të pahijshëm kur e hoqi”, ka shkruar ai.