Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka thënë për KosovaNews se, “me gjasë nesër do të ketë një takim në Bruksel” mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ftesa për takim është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
Takimi mes palëve pritet të mbahet të dielën në mbrëmje ose të hënën gjatë ditës, varësisht nga konfirmimi nga palët.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, kishte thënë se çështja e targave është një problem që duhet zgjidhur para datës 21 nëntor. Prandaj, nuk ka mbetur shumë kohë për të zgjidhur këtë çështje dhe për të ulur tensionet.
Në BE kanë thënë se nuk janë në gjendje të flasin për agjendën në këtë moment.
Përveç çështjes së targave, në këtë takim parashihet të diskutohen edhe çështje të tjera. Do të kërkohet zgjidhje evropiane dhe kjo përfshin zbatimin e obligimeve që kanë marrë palët nga Brukseli.


