Qytetarë të shumtë i janë përgjigjur ftesës së Partisë Socialdemokrate për protestë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e ish-komandantit të UÇK, Salih Mustafa.
Protestuesit janë duke mbajtur në duar disa pankarta me emrat e ish komandantëve të UÇK-së, Salih Mustafa, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se edhe 23 vjet pas çlirimit të Kosovës, çlirimi ka kosto.
“Lufta për liri është shenja e shtetit tonë, procesi special është provë e gjallë. Edhe 23 vite pas çlirimit të Kosovës, çlirimi ka kosto. Shikojeni gjykimin e ushtarëve të lirisë në Hagë, e kjo është sakrifica. Shikojeni aktgjykimin e kësaj gjykate, ku thuhet se duhet të dënohet Salih Mustafa edhe kur plumbi është nga serbët. Procesi i speciales na ka nxjerr një mësim të mirë, liria duhet të mbrohet”, tha Molliqaj.
Ai po ashtu kërkoi ndryshimin e Ligjit të Dhomave të Specializuara nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Ndryshimi i këtij ligji është i domosdoshëm. Është moment alarmi ndryshimi i këtij ligji. Më lejoni të ju them nëse deputetët e Kuvendit nuk do të nisin ndryshimin e ligjit, atëherë ne do të fillojmë një nismë për ndryshimin e këtij ligji. Këtë betejë nuk do ta ndalim”, ka thënë Molliqaj.
Ndërkaq, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se Gjykata Speciale po gjykon vetëm shqiptarët e jo krimet e kryera në Kosovë nga pushtuesi serb.
Klinaku tha para protestuesve tha se Gjykata Speciale po e gjykon vetëm luftën çlirimtare të Kosovës.
“Që nga përfundimi i luftës së UÇK-së populli është përballur me shumë sfida… Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët e jo krimet e kryera në Kosovë nga pushtuesi”, tha ai.
Sipas tij, OVL e UÇK-së ishte kundër themelimit të Gjykatës Speciale.



