Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se sot filluan punimet në kyçjen e Vitisë në autostradën që e lidh Prishtinën me Shkupin, R6 “Arbën Xhaferi”, një projekt i shumëpritur prej kohësh nga qytetarët e Vitisë.
“Lajm i mirë për qytetarët e Vitisë dhe Ferizajit. Sot filluan punimet në kyçjen e Vitisë në autostraden që e lidh Prishtinën me Shkupin R6 “Arbën Xhaferi”, një projekt i shumëpritur prej kohësh nga qytetarët e Vitisë. Vitin e kaluar ishim në terren, me ç’rast bëmë zotimin publik se do të realizojmë këtë projekt të domosdoshëm e të rëndësishëm për qytetarët e Vitisë dhe kështu filluam menjëherë me hartimin e projektit dhe procedurat tjera duke arritur në ditën e sotme kur filluam me jetësimin e këtij projekti”, ka thënë zëvendësministri Durmishi .
Sipas tij, vlera e projektit është afër 2.7 milionë euro dhe do të realizohet brenda 175 ditë pune.
“Ne zotimet që i bëjmë edhe i realizojmë. Ky vit do të jetë vit i shumë projekteve të rëndësishme infrastrukturore”, përfundon Durmishi.


