Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje nga takimi i tij sot me presidenten Vjosa Osmani.
Në një postim në Twitter, diplomati sllovak ka thënë se në takim u diskutua mbi rëndësinë e shmangies së tensioneve të mundshme në veri të Kosovës.
“Fillova sot misionin tim të përbashkët me Gabriel Escobar në Kosovë me një diskutim thelbësor me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ne folëm për rëndësinë e shmangies së çdo tensioni të ri në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak.
Vizita e Escobar dhe Lajçak në Kosovë vjen në kohën e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të paralajmërimeve për vendosjen e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia më 1 shtator.


