Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka shkruar pas takimit që kishte të enjten pasdite me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd, se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës e Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, duhet të zbatohet.
Ai në një postim në Twitter, ka thënë se këtu përfshihet edhe Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes e arritur më 2011.
“Kam pasur një diskutim të vështirë, por të përgjegjshëm me presidentin Vuçiq. Ia përcolla mesazhet dhe theksova se të gjitha marrëveshjet nga dialogu duhet të zbatohen, duke përfshirë edhe Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona më vonë sonte”, ka shkruar Lajçak.
Ai fillimisht e takoi vetë Vuçiqin, më pas takimit iu bashkua edhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.