I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ky vit dhe viti i ardhshëm janë vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Lajçak ka thënë për agjencinë e lajmeve APA të premten se do të ishte gabim që dy vendet të mos përfitonin nga kjo periudhë kohore kur nuk ka zgjedhje as në Kosovë, as në Serbi dhe as në BE apo SHBA.
“Ky dhe viti i ardhshëm janë vendimtarë dhe unik dhe do të ishte një gabim i madh nëse ata nuk do të përfitonin nga kjo periudhë kohore. Tani kemi një shans unik në kalendarin politik, diçka që nuk e kemi pasur për të paktën dhjetë vjet. Që nga tani deri në vitin 2024 nuk kemi zgjedhje në Serbi, si dhe në Kosovë, dhe nuk ka zgjedhje në Evropë e as në SHBA”, ka thënë Lajçak.
Më 19 gusht është mbajtur takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e Lajçakut dhe përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Dy palët nuk arritën ndonjë marrëveshje atë ditë, pavarësisht rundeve të njëpasnjëshme të diskutimeve që zgjatën me orë të tëra.
Më 27 gusht, Borrelli ka njoftuar se Serbia ka rënë dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse-dalëse për qytetarët e Kosovës.
“Kemi një marrëveshje. Sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse/dalëse për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit serbë të ID-së”, ka thënë Borrell.
Kosova ka vendosur të zbatojë masën e reciprocitetit me dokumente ndaj Serbisë, duke nisur nga 1 gushti, mirëpo vendimi është shtyrë më 31 korrik, pas tensioneve të krijuar në veri, dhe me kërkesë të SHBA-së dhe BE-së.
Vendimi do të duhej të rifillonte së zbatuari më 1 shtator.
Sipas vendimi, Kosova do të lëshonte dokumente hyrjeje për secilin qytetar të Serbisë që hyn në Kosovë, njëjtë siç ka vepruar deri tani Serbia me qytetarët e Kosovës që hyjnë në Serbi.
Mirëpo më 1 shtator ka nisur të zbatohet marrëveshja që qytetarët e të dy vendeve të udhëtojnë me dokumente të vendeve përkatëse.


