Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Europian – Planin e Rritjes. Kjo është një ndër marrëveshjet me vlerën më të madhe dhe më të rëndësishmet që përfiton Kosova.Për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Plani i Rritjes kishte mbetur pa u ratifikuar për më shumë se një vit, duke mbajtur pezull shumën prej 882 milionë eurosh.
Të gjitha grupet parlamentare u pajtuan me ratifikimin e kësaj marrëveshje, përpos Listës Serbe – të cilët abstentuan në votim.Me 104 vota për, pesë abstenime dhe asnjë kundër u ratifikua kjo marrëveshje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati shpjegoi para votimit se kjo marrëveshje ka vlerë 882 milionë euro.“Me hyrjen në fuqi disbursohen 7% (paradhënia) e shumës totale, që janë 62 milionë euro”- tha Murati gjatë fjalës së tij.Prej këtij 7%, Murati tha se 20 janë milionë si grant dhe 30 milionë janë kredi.Kurse, nga kjo marrëveshje e tërësishme afër 253 milionë euro janë grant, kurse afër 629 milionë kredi.
Murati tha se gjysma e kësaj ndihme në total, shkon në Thesarin e Kosovës. Një gjë të tillë e shpjegoi Murati pas kërkesës së Shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.Kosova ishte ndër partnerët e parë të Ballkanit Perëndimor që miratoi Agjendën e saj të Reformave, siç kërkohet nga Plani i Rritjes i BE-së, e cila u miratua nga Komisioni Evropian në tetor të vitit 2024.
Plani i Rritjes nxit përgatitjet e partnerëve të zgjerimit për anëtarësim në BE, duke sjellë përpara disa nga përfitimet e tij përpara integrimit të plotë në BE. Kjo nga ana tjetër duhet të përshpejtojë ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre. Kjo paketë, vlen për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.Në Kuvendin e Kosovës procedura për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare është e përcaktuar në Kushtetutë dhe ligje specifike. Për ratifikimin e marrëveshjes me BE-në, nevojiten 80 vota, apo dy e treta e të gjithë deputetëve.


