Kuvendi i Kosovës me shumicë votash ka miratuar të enjten, më 8 dhjetor, vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë elektrike edhe për një muaj në Kosovë.
Vendimi është miratuar me 61 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër. Opozita nuk mori pjesë në votim.
Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor të vitit të kaluar vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat sipas situatës edhe herë pas herë kanë hyrë në fuqi.
Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Pas votimit të këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e kësaj seance, ku u diskutua për energjinë, për të hapur pastaj punimet për seancën tjetër, ku do të diskutohet për çështje tjera./KosovaNews