Mediat italiane kanë zbuluar detaje të reja nga ngjarja e mbrëmjes së të premtes në Peruxhia, ku në sheshin para universitetit u vra me thikë 23-vjeçari shqiptar Hekuran Cumani.
Raportohet se i riu që mbeti viktimë e një goditje me thikë në fyt jetonte në Fabriano dhe kishte shkuar në Peruxhia me miqtë për të kaluar mbrëmjen. Sipas raporteve fillestare, grupi u konfliktua me një grup tjetër të rinjsh me të cilët u përleshën fizikisht për motive të dobëta.
Policia ka intervistuar tashmë të gjithë miqtë e viktimës që ishin dëshmitarë të incidentit. 23-vjeçari, pas një mbrëmjeje në klub me miqtë, kishte përfunduar në “110 Caffè”, një bar pranë një parkingu publik përpara Departamentit të Matematikës dhe Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Peruxhias.
“Një djalë i mirë”, kështu e përshkruajnë miqtë dhe të njohurit e tij. “Një dashamirës i palestrës dhe fitnesit, ai kujdesej për trupin e tij. Një mik i shkëlqyer, me një zemër të artë, ai i donte familjen dhe kafshët e tij”, thanë ata që e njihnin.
Lajmi ka tronditur njerëzit dhe institucionet. Kryetari i Bashkisë, Këshilli Rajonal dhe i gjithë Këshilli i Qytetit të Peruxhias shprehën gjithashtu “pikëllimin e thëllë për vdekjen e të riut“.


