Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se vendimi i Qeverisë për reciprocitet me Serbinë për letërnjoftimet dhe për pajisjen e qytetarëve serbë të veriut me targat “RKS” ka qenë plotësisht i koordinuar me faktorin ndërkombëtar.
Ajo bëri këto deklarata gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për disa çështje.
“Këto vendime përveç se ishin të drejta dhe të planifikuara ato ishin mirë të koordinuara dhe komunikuara me të gjithë akterët relevantë, përfshirë ambasadat e QUINT-it dhe KFOR-in”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se kryeministri dhe Qeveria kanë qenë të angazhuara në fushatë vetëdijesuese për të gjithë qytetarët e Republikës, e veçmas për ata të veriut për t’i informuar për proceset e zakonshme që ndodhin në secilin vend me rend dhe ligj.
“Megjithatë, siç ishim dëshmitar të gjithë, angazhimi i grupeve dhe strukturat paralele të kthyera në banda kriminale me mbështetje direkte nga Beogradi zyrtar, një ditë para fillimit të zbatimit të reprocitetit ishte të krijonte destabilitet, frikë dhe panik”, ka shtuar Kusari-Lila.
Ajo tutje ka kritikuar partitë opozitare për deklaratat e tyre për kinse moskoordinim me faktorin ndërkombëtar, e që sipas saj më së miri këto deklarata i demantoi ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.
Ditë më parë ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se dy masat e Qeverisë së Kosovës, ajo për reciprocitet për dokumente dhe ajo për targa, ishin në përputhje me faktorin ndërkombëtar.
Përmes një postimi në Tëitter, Hovenier ka thënë se ShBA-ja e mirëpret vendimin e Kosovës për pezullimin e përkohshëm të këtyre masave, deri më 1 shtator.
“ShBA-ja mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, ka shkruar Hovenier.


