Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar sot Shoqatën e Kryqit të Kuq të Kosovës, ku janë pritur nga kryetarja Feride Hyseni me bashkëpunëtorë.
Bëhet e ditur se Kurti ka falënderuar kryetaren Hyseni për mikpritjen, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e tij të plotë për bashkëpunim të mëtejmë.
“Me këtë rast, kryeministri Kurti potencoi bashkëpunimin e Kryqit të Kuq nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, derisa theksoi ndihmën që Kryqi i Kuq i ka dhënë Shërbimit Korrektues të Kosovës me veshmbathje për të burgosurit, me përkrahjen e vizitave të familjeve për të burgosurit, derisa familjeve në gjendje të rëndë u është siguruar transporti për vizita në burgje”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.
Gjithashtu bëhet e ditur se si përkrahje shumë të rëndësishme nga Kryqi i Kuq, kryeministri Kurti përmendi rifreskimin e Bibliotekës në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Gjatë muajit tetor Kryqi i Kuq organizon muajin e solidaritetit në vepër, dhe për këtë kryeministri Kurti ka ofruar bashkëpunimin e tij në njërin nga këto aktivitete.
Nga ana tjetër, kryetarja e Shoqatës së Kryqit të Kuq të Kosovës, Feride Hyseni, shprehu vullnetin e Kryqit të Kuq për bashkëpunim edhe më të afërt në adresimin e nevojave të organizatës dhe arritje e objektivave të saj.


