Kryeministri Albin Kurti vizitoi sot dy kazerma të Forcës së Sigurisë së Kosovës, “Adem Jashari” në Prishtinë dhe “Evropianët e Rinj” në Pomazatin.
Ai gjatë kësaj vizite ishte i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Duke iu drejtuar ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së në kazermën “Ademi Jashari”, kryeministri Kurti tha se populli ynë pret nga ata që të mbajnë lart moralin dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit.
“Njerëzit jashtë këtyre rrethojave të kazermave shohin te ju trimat, të mençurit dhe guximtarët që janë të gatshëm dhe të përgatitur për t’i mbrojtur ata dhe vendin tonë nga çdo rrezik e kërcënim”, tha ai.
Ndërkaq në kazermën “Evropianët e Rinj”, kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon të zhvillohet, modernizohet dhe të ndërveprojë me partnerët e saj.
“FSK vitin e kaluar zbarkoi në Lindjen e Mesme për misionin e saj të parë paqeruajtës, krah aleatëve tanë, kurse këtë vit është në përgatitje për të zbarkuar njësitë e saj në Poloni dhe Ishujt Falkland për operacione të mbështetjes së paqes. Pjesëmarrja e FSK-së në këto operacione ndërkombëtare tregon më së miri për punën dhe përkushtimin tuaj, për profesionalizmin dhe vullnetin tuaj, për moralin e lartë dhe dëshirën tuaj të zjarrtë për t’i shërbyer vendit”, tha Kurti.
Ai ndër të tjera tha se “ne jemi evropian të rinj sepse jemi shtet i ri në Evropë, mirëpo jemi populli i lashtë i Evropës që Bashkimin Evropian e konsideron vlerë dhe qëllim”.
“Historinë e kemi të lavdishme, të ardhmen do ta kemi të ndritshme”, tha Kurti.