Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit të Grupit Parlamentar të VV-së, ka folur për media. Ai ka folur lidhur me qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos votuar Bekim Sejdiun për president. Ai tha se VV e ka mbështetur Bekim Sejdiun.
Kurti e cilësuar si absurde sjelljen e gjashtë deputetëve të LDK-së. Ai theksoi se nuk duhet, pa arsye dhe pa nevojë, të shkohet në zgjedhje të reja.
Kurti ka deklaruar se marrëveshja e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidatin e përbashkët për president, profesor Bekim Sejdiu, mbetet e vlefshme.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të VV-së, Kurti tha se deputetët e këtij grupi e kanë mbështetur në mënyrë të plotë kandidaturën e Sejdiut.
“Patëm një mbledhje me grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast të gjithë u njoftuan për procesin negociator që është zhvilluar me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe marrëveshjen që kemi arritur me emrin e përveçëm të kandidatit të përbashkët, konsensual, me atributet e larta në kuptimin vleror, meritor e të kontributit, profesor Bekim Sejdiun”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e kanë mbështetur Sejdiun, ndonëse Kryesia e kësaj partie kishte konfirmuar mbështetjen për kandidaturën e tij.
“Mirëpo më pas patëm edhe këtë njoftimin negativ që gjashtë deputetë nga 18 sa i ka grupi parlamentar i LDK-së nuk e mbështesin profesor Bekim Sejdiun për president të Republikës”, tha ai.

