Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, është për kandidimin e Bekim Sejdiut për president të vendit, nëse pajtohet grupi parlamentar.
Duke e njohur personalisht, sipas saj, është e vështirë të gjejë arsyeje që të mos e votoj.
“Unë jam pak subjektive kur vjen puna e kësaj kandidature sepse Bekim Sejdiu e njoh në aspektin profesional shumë më gjatë. Vlerësojë që kemi shkaqe që ta shtyjmë përpara këtë kandidaturë, vota ime në parim do të jetë për në çoftë se dakordohet edhe grupi parlamentar, e kam shumë të vështirë që të gjej arsyeje që të mos ta votoj”, tha ajo.
Ajo nuk beson se do të ketë ndonjë votë kundër, pavarësisht mendimeve të ndryshme.
“Çdo parti politike i ka disa rregulla të cilat jo aksidentalisht shkruhen. Nuk do të doja që të paragjykoja dikë në këtë fazë, që të votoj kundër, pavarësisht mendimeve ndryshe. Ndonjë votë për mund të ndryshojë mendim, si ajo kundër”, tha ajo.
Pas shumë takimeve, dje kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku me kryetarin e LVV-së Albin Kurti, kanë arritur marrëveshjen për kandidatin konsensual për president.

