Të dielën do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti.
Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti tha se kjo mbledhje e Këshillit do të mbahet për t’u siguruar se gjithçka do të shkojë mirë me çështjen e ndërrimit të targave të automjeteve të serbëve në Kosovë dhe për dokumentet e përkohshme që do t’u jepen atyre para se të hyjnë në territorin e Kosovës.
“Nesër në mëngjes e kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, ku do të diskutojmë me krerët e organeve dhe me disa ministra çështjet që mund të na shfaqen e të cilat duhet t’i kemi parasysh. Ka kriminelë të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme që nuk iu pëlqen ligjshmëria e kushtetuta dhe dëshirojnë ta sfidojnë shtetin e Kosovës”.
“Andaj, kjo mbledhje është organizuar për të shikuar nëse janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë ashtu siç është planifikuar për të zbatuar vendimin e Qeverisë”, deklaroi ai.